Presioni i Berlinit për kufijtë, deputetja gjermane: 5 vendet e BE ta njohin Kosovën

23/09/2018 13:24

Renata Alt është zëri më i fundit që konfirmon qëndrimin e përgjithshëm në Gjermani lidhur me çështjen e kufijve të Kosovës.

Deputetja liberale gjermane kërkon që Berlini zyrtar të ndërmjetësojë dhe të bëjë më shumë presion tek të gjithë anëtarët e BE-së për njohjen e Kosovës.

Pikërisht kësaj të fundit i ka mëshuar Hashim Thaçi në argumentet e dhëna në mbështetje të planit të vet polemizues të korrigjimit të kufijve.

Në intervistën e dhënë për DW, deputetja gjermane lë të kuptohet se në funksion të arritjes së asaj që dëshiron aq shumë Prishtina zyrtare, dhe të gjithë kosovarët, mund të shtohen përpjekjet e diplomacisë, por është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve.

Ndërprerja e papritur e bisedimeve në Bruksel tregon sipas Alt se në ç’gjendje të paqëndrueshme kishin filluar këto negociata.

Nuk është e këshillueshme që në Ballkan të ketë ndryshime kufijsh mbi baza të pastra etnike. Është një lojë e rrezikshme që mund të ketë pasoja të paparashikueshme që nuk i merr dot me mend askush në këtë moment, komenton ligjvënësja. Ajo përmend si shembull mundësinë që Republika Srpska të kërkojë bashkim me Serbinë. Ndryshime të tilla mbështesin vetëm tendencat nacionaliste, u shpreh Alt; ky nuk mund të jetë objektivi ynë.

Top Channel