“Fort Trump” në Poloni. Pro dhe kundër propozimit

23/09/2018 08:10

Andrzej Duda duket specialist në marrjen me të mira të mikpritësve, edhe kur këta janë snobë. Gjithçka, gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, këtë javë, ai e përmblodhi në dy fjalë: Fort Trump.

Kështu, Polonia do të emërtojë atë që i ka kërkuar Amerikës, një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni. Qëndrimi agresiv i Rusisë, sipas Polonisë, është një shqetësim i madh dhe duket se kështu mendon edhe Trump. Për këtë të fundit, polakët janë evropianët më shembullorë. Ata mbështesin rezervat e tij për Moskën, nuk kanë besim tek aleancat shumëkombëshe si BE dhe NATO e do të preferonin marrëveshje ushtarake direkte me SHBA-në, pa kursyer edhe paratë.

E kjo për Trump është qershia mbi tortë. Ai, shumë vende evropiane, veçanërisht gjermanët, i konsideron parazitë të NATO-s, që duan të mbrohen nga Amerika, por kur vjen puna tek paratë, hezitojnë. Polonia, në anën tjetër, afër Rusisë, ka një nevojë të theksuar për siguri. Ajo e priti gati me entuziazëm mbërritjen e 3500 ushtarëve amerikanë në tokën e saj, një kontigjent rotacioni në kuadër të NATO-s që zëvendësohet çdo 9 muaj nga ushtarë të tjerë të aleancës.

Por, kjo nuk mjafton për Poloninë. Sidoqoftë, prania e përhershme amerikane në Poloni shihet me rezerva në disa vende, shoqëruar me frikën për një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë. Kjo e fundit deri më tani nuk ka reaguar. Në anën tjetër, SHBA do që partnerët të paguajnë para’ dhe Polonia është e gatshme ta bëjë këtë.

Sidoqoftë, për momentin gjithçka është në letër e nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Ndoshta edhe vetë Trump heziton, pasi me një marrëveshje të tillë me Poloninë, SHBA do të bëhej akoma më shumë përgjegjëse se tani për sigurinë në kufirin lindor të NATO-s, çka nuk e ka me shumë dëshirë.

Top Channel