Shkatërrohet grupi “Bajri”. Të fortët e Shkodrës, edhe në Holandë

22/09/2018 15:44

Nën emrin “Oazi”, prokuroria bashkë me policinë shkatërruan një nga grupet më të fuqishme të botës së krimit që vepronte në Shkodër dhe jashtë vendit.

Hetimi i nisur pranë Krimeve të Rënda në prill 2018, pak kohë pasi Shkodra ishte tronditur nga një shpërthim me lëndë plasëse me objektiv Lul Kullën, u mbyll me 11 persona të arrestuar. 4 nga anëtarët e grupit ishin prangosur në fillim të shtatorit, gjatë kontrolleve të shumta të policisë, e cila gjatë atyre ditëve u kritikua për rezultatet jashtë pritshmërive, që siç mund të kuptohet në mbyllje të operacionit “Oaz”, ishte një manovër e policisë për të çuar në kurthin e ligjit të dyshuarit.

Përveç të prangosurve si ushtarë, mes të arrestuarve janë edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të bandës dhe i vëllai Ilir Rustemi, gjithashtu me të njëjtin rol.

Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi: “Në kërkim u shpallën dy anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, të cilët janë E.B., 45 vjeç dhe N.H., 34 vjeç”.

I kërkuari është drejtuesi i grupit Enver Bajri, ndërsa i dyti dyshohet si një nga gjobëvënësit.

Një tjetër personazh kyç në grup është edhe Behar Bajri, i arrestuar në Roterdam, pasi ai u largua më shumë se një javë më parë nga Shqipëria. Informacioni për të u është përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga.

“Është provuar në javët e fundit se anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, theksoi Veliu.

Sipas burimeve, gjobat e vendosura kohët e fundit, fillimisht u njoftoheshin të dëmtuarve nga Behar Bajri. Behari jam, u thoshte në telefon i dyshuari dhe më pas viheshin në lëvizje të tjerët, të cilët, siç rezulton nga përgjimet e shumta, i vendosnin afat të dëmtuarve në disa raste edhe me frazën “e mira është mos ta vonosh porosinë”.

“Grupi Bajri, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Evropë dhe paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit”, shpjegoi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
E provuar sipas prokurorisë është edhe akuza për dy vrasje, sikurse edhe e 15-vjeçares Fabiola Bajri, bashkëjetuese e njërit prej të dyshuarve. Vrasja e saj u raportua si vetëvrasje 20 vjet më parë, edhe pse gruaja ishte qëlluar me një plumb, ndërsa edhe pas të shtënave arma u gjet me fishekë gati për qitje. Krimi i dytë dyshohet se është kryer për shkaqe banale.

Mes të arrestuarve është edhe ish-portieri Armir Grimaj. Ai dyshohet për trukimin e ndeshjes Vllaznia-Tërbuni, një ndeshje e zhvilluar në muajin maj dhe e mbyllur me rezultatin 2-1, ashtu siç tregon në përgjimet ambientale Safet Bajri, kur flet për të ardhurat nga ndeshja.

Nga ana tjetër, prokuroria po heton edhe për pastrim parash, një vepër që ka dyshime se kryhej përmes fajdeve. Nën hetim pasuror janë edhe pasuritë e të dyshuarve, mes të cilave edhe dy biznese.

Top Channel