Dita pa makina. Pedalimi me biçikleta, nga Presidenca te liqeni

22/09/2018 17:45

Java që po mbyllet është java europiane e lëvizshmërisë. Për ta shënuar atë, një grup qytetarësh të të gjitha moshave organizuan një pedalim të përbashkët që nisi nga Presidenca dhe përfundoi tek Kodrat e Liqenit. Kjo edhe për të promovuar të mirat që sjell biçikleta, si për shëndetin, edhe për qytetin.

22 shtatori është Dita Botërore pa Makina. Qëllimi është sensibilizimi i njerëzve për të shmangur sa më shumë mjetet motorike. Mosha më e vogël e pjesëmarrësve në këtë iniciativë ishte 8 vjeç dhe më e madhja, 60 vjeç.

Në fillim ishte planifikuar që pjesëmarrësit të pedalonin veshur me rroba banjoje.

Në kryeqytet janë shtuar ndjeshëm korsitë e biçikletave dhe në lidhje me këtë fakt qytetarët ndajnë mendime të ndryshme.

“Më pëlqen që ka korsi biçikletash, por problemi është se disa rrugë janë ngushtuar. Çdo gjë ka kohën e vet. Në fillim duhej zgjidhur problemi i trafikut, pastaj vinte biçikleta”, thotë një qytetar.

“Shumë mirë që përdoren biçikletat”, thotë një tjetër.

Top Channel