Marrëdhëniet SHBA-Kinë; Sanksione edhe për avionët që Pekini i bleu Moskës

21/09/2018 12:01

Përplasja e radhës SHBA-Kinë në fokus ka ushtrinë. Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj forcave ushtarake kineze për shkak të blerjes së avionëve ushtarake ruse dhe raketave tokë-ajër.

Blerje të tilla, sipas amerikanëve, bien ndesh me masat shtrënguese të Shteteve të Bashkuara mbi Moskën, të ndërmarrë për shkak të veprimeve ruse në Ukrainë, ndërsa paraqiten nga ana tjetër edhe si ndërhyrje e dyshuar në politikën amerikane.

Kina ka blerë së fundmi 10 avionë luftarakë ruse Sukhoi Su-35 si dhe raketa S-400.

Pekini nuk është pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga SHBA dhe aleatët e saj perëndimore që prej vitit 2014.

Forcat e tij ushtarake më herët këtë muaj u bënë gjithashtu pjesëmarrëse të manovrave gjigante ruse.

Politikanë në Moskë u shprehën të bindur se masat amerikane nuk do të kenë asnjë ndikim tek shitja e avionëve dhe raketave.

Jemi të bindur, thanë ata, se kontratat do të zbatohen ashtu siç është rënë dakord, duke shtuar se zotërimi i këtyre mjeteve ushtarake është i një rëndësie kyçe për Kinën.

Azia është tregu më i rëndësishëm i huaj për prodhuesit e armëve ruse, dhe sipas përllogaritjeve, qe prej vitit 2000 përbën gati 70% të eksporteve të tyre. India, Kina dhe Vietnami janë burimet kryesore të kërkesës për armë ruse në rajon, sipas raportit te fundit të Chatham House.

Top Channel