Sugjerimi për Spanjën, Trump: Një mur përgjatë Saharasë

20/09/2018 17:31

Donald Trump i ka sugjeruar qeverisë spanjolle, që është përballur me krizën e emigrantëve në Mesdhe, të zbatojë një nga politikat më të famshme të tij; të ndërtojë një mur përgjatë shkretëtirës së Saharasë.

E kjo është zbuluar nga vetë ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borrell, sipas të cilit, presidenti amerikan kishte hedhur poshtë edhe skepticizmin e diplomatëve spanjollë, që i kishin thënë se Saharaja shtrihet në më pak 5 mijë kilometra duke thënë: kufiri me Saharanë nuk mund të jetë më i gjatë nga ai me Meksikën. Trump, premtoi gjatë fushatës elektorale në 2016 se do të ndërtonte një mur të madh dhe të bukur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, rreth se 3200 km të gjatë.

Por, një plan i tillë në Sahara, do të ishte sidoqoftë i komplikuar, kjo edhe për faktin se Spanja ka vetëm dy enklava të vogla në Afrikën e Veriut, Ceutën dhe Melilën, dhe një mur i tillë do të duhej të ndërtohej në territor të huaj.

Komentet e Borell janë bërë në një event në Madrid, këtë javë dhe janë raportuar gjerësisht nga mediat spanjolle. Trump mendohet se e ka dhënë rekomandimin e tij kur Borrell shoqëroi mbretin Felipe dhe mbretëreshën Letizia në shtëpinë e bardhë, në qershor.

Spanja në fakt është vendosur në vijën e parë të frontit të krizës së emigrantëve, me më shumë se 22600 të tillë që kanë mbërritur atje nga deti këtë vit dhe 1723 që kanë humbur jetën në përpjekje e sipër. Spanja është bërë madje destinacioni kryesor i emigrantëve që kalojnë Mesdheun, duke lënë pas Italinë dhe Greqinë.

Top Channel