Teatri Metropol çel Sezonin e dytë artistik shtator-dhjetor me vepra shqiptare të shpluhurosura nga arkivi, duke i bërë pjesë së edicionit të dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”.

Një ndër to është “E mbesa e krahinarit” komedi e Kristo Floqit, e shkruar rreth viteve ’30. Me pjesëmarrjen e veçantë të Luftar Pajës, kjo komedi përshkruan doket dhe zakonet, ligjet dhe rregullat, njerëzillikun dhe burrërinë, duke na sjell në pah jo vetëm realitetin e viteve 1930, por vjen aq mirë e përshtatur edhe për ditët e sotme.

“Korrupsion ka pasur në atë kohë, korrupsion ka edhe sot. Rrëmbime ka pasur në atë kohë, rrëmbime ka edhe sot. Neglizhenca në punë ka pasur në atë kohë në vitet 30, ka edhe sot. Çdo periudhë ka të mirat dhe të këqijat e saj. Ne mundohemi që ta biem në kohë këtë komedi pa cenuar idenë dhe pa cenuar dhe kohën”, tha Luftar Paja, aktor.

Në këtë shfaqe gjithë pjesa tjetër e produksionit janë të rinj, që nga regjisori Aldi Hysotoçi, por edhe aktorët. A ka një përplasje brezash dhe a ka ardhur koha që të rinjtë të jenë të pranishëm shpesh në skenë?

“Të krijohet përshtypja që të rinjtë s’kanë çfarë mësojnë nga të vjetrit, mirëpo unë them se kanë çfarë mësojnë shumë, por të mos ikim edhe me atë mëndje që edhe ne të vjetrit na gënjen mendja në qoftë se themi: ne jemi dhe s’ka më”, u shpreh aktori.

Ky edicion i “MetroFest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, ku përveç “ E bija e krahinarit” do të vihen në skenë edhe “Rrajët lëvizin” e autorit Ernest Koliqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze.

“Ne nuk kemi arritur kulmin. Me pak përpjekje them se do kemi një shfaqe simpatike”, tha Luftar Paja.

Top Channel