Portretet e Skënderbeut. Ekspozita me 60 punimet me motiv jetën e heroit kombëtar

19/09/2018 15:30

60 tablo që nga lindja e Skënderbeut e deri pas vdekjes së tij, shpalosin historinë e heroit tonë kombëtar përmes pikturës, frymëzuar nga vepra e Marin Barletit.

Si një ish-punonjës i Konostudios, duke i dedikuar 10 vite nga puna e tij, piktori Vangjel Gjikondi ka zbërthyer ne historinë duke sjellë si një regjisor në mënyrë kronologjike historinë e Skënderbeut ne një ekspozitë.

“Teknika është vaji, nuk ka asnjë akrilik. Vaji është ngjyra e mbretit. Jam frymëzuar edhe nga Renaissance italiane, sepse historia e Skënderbeut lidhet pikërisht me periudhën kur lulëzon Renessanca europiane dhe italiane, që në e dimë nëpërmjet Leonardo da Vinçit, Michelangelos e Rafaellos. Keto jam munduar të pasqyroj dhe ndihet ndikimi”, u shpreh piktori Vangjel Gjikondi.

Pagëzimi i Skënderbeut në moshën 2 vjeçare, martesa e tij, por edhe një shpërfaqje tjetër e rolit të Mamicës, si një luftëtare e denje për tu krahasuar me Zhan D’Ark me të cilën duhet të krenohet Shqipëria, janë disa nga ndalesat në rrugëtimin prej 60 tablosh.

“Pagëzimi i Skënderbeut është diçka edhe pagane, por edhe kuptimi që Shqipëria ka qënë e krishtere e gjitha, kështu që unë jam munduar që ta pasqyroj atë në tablo, e cila po ta shohësh me vëmendje, lidhet edhe pak me Biblën natyrisht, sepse edhe libri i historianit të famshëm Marin Barleti e ka me tendence ketë gjë”, shtoi Gjikondi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në MHk deri në datën 25 shtator.

Top Channel