Bazë ushtarake në Poloni, Varshava gati 2 miliardë dollarë

19/09/2018 22:31

Varshava është e gatshme të paguajë të paktën 2 miliardë dollarë për hapjen e një baze ushtarake amerikane në vend.

Këtë e ka pohuar presidenti amerikan Donald Trump duke sinjalizuar se po e vlerëson seriozisht kërkesën për një prani ushtarake të përhershme në Poloni, vend strategjik për evropën për të barazpeshuar kështu atë që e cilëson sjellje agresive të Moskës.

“Ne po vlerësojmë kërkesën, fillimisht nga këndvështrimi i mbrojtjes ushtarake për të dyja vendet”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin polak Andrzej Duda, në shtëpinë e bardhë.

Më pas, edhe nga këndvështrimi i kostos – ka shtuar ai – nëse duan të paguajnë, kjo është diçka për të cilën me siguri do të diskutojmë. Uashingtoni sidoqoftë është angazhuar në përforcimin e bashkëpunimit ushtarak me varshavën.

Do të intensifikojmë konsultimet – ka thënë shtëpia e bardhë në një deklaratë që pasoi, për të nisur studimin e fizibilitetit dhe kjo do të ndikojë në mbrojtjen jo vetëm në evropën qendrore dhe perëndimore por edhe në të gjithë aleancën.

Duda nga ana e tij ka propozuar edhe që baza amerikane në Poloni të quhej Fort Trump, në nder të presidentit. Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, ka përgëzuar ndërkohë Poloninë për rritjen e shpenzimeve ushtarake por nuk ka komentuar kërkesën për prani të përhershme ushtarake në vend duke lënë të kuptohet se ende nuk është marrë një vendim.

Top Channel