“Vetting me të pavarur”, Basha kërkon miratimin e Ramës. Detajet më pas

18/09/2018 15:01

Lulzim Basha paraqiti pikat e projektit për vetting në politikë pa zbuluar detajet. Ai tha se vettingu i politikanëve do jetë i pavarur nga politika. Kreu i Partisë Demokratike tha se më parë kërkonte miratimin e mazhorancës për nismën. Basha tha se nuk do lejonte diskutimet teknike ta merrnin peng projektin.

Kush do e bëjë vettingun e politikanëve?! Në javën e fundit sipas rregullores se Kuvendit kur duhet të nisë diskutimi i nismës Kushtetuese të demokratëve Lulzim Basha nuk e ka ende një përgjigje për gazetarët, ndërsa ftesa e vetme shkon për kryetarin e Kuvendit.

“Pas depozitimit të amendamenteve kushtetuese, të mblidhet Këshilli i Legjislacioneve dhe Komisioni i Ligjeve, për të nisur menjëherë procesin kushtetues të ndryshimit të amandamenteve për vettingun e politikanëve”, u shpreh Basha teksa theksoi se ky do të jetë një proces që do të kalojë përmes 5 rregullave kryesore: “E para Do të jetë një proces i pavarur dhe palidhur me Vettingun në Drejtësi. E dyta do të jetë një model, i thjeshtë i qartë, i njëjtë me modelin dekriminalizimit që nxorri 333 zyrtarë nga zyrat e shtetit. E treta do të kryehet nga një strukturë profesionistësh të pavarur nga politika. E katërta nuk do të jetë kurrsesi një strukturë parlamentare. E pesta Do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare”, u shpreh Basha.

Përcaktimi kushtetues i propozimit te tyre sipas demokrateve është i njëjtë me Vettingun në drejtësi. Lulzim Basha u kujdes të sqaronte ndryshimin e vetëm të propozimit te tyre me rolin e BKH dhe SPAK

“Janë dy gjera të ndryshme, SPAK dhe BKH i çojnë në burg. Nëse nuk e votojnë vettingun politik, atëherë ta dinë të gjithë shqiptarët se nuk ka më asnjë mënyrë për t’u përballur me krimin në mënyrë institucionale”, u shpreh Basha.

Lideri i opozitës refuzoi propozimin e Edi Ramës për dërgimin e amendamentit kushtetues në Venecia.

Top Channel