Kundërshtarët e teatrit të ri, diskutim kundër projektit për prishjen e teatrit të vjetër

18/09/2018 19:42

Ndërsa mazhoranca ka pranuar dekretin e Presidentit të Republikës në lidhje me ligjin që i hap rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar, nga ana tjetër një grup intelektualësh, aktivistësh dhe arkitektësh diskutuan mbi strategjitë e mbrojtjes së godinës ekzistuese të teatrit.

Godinë e cila, sipas tyre, ka vlera historike.

Aurel Plasari tha: “Ai arkitekti që thotë Rama, që është ndër më të mëdhenjtë në botë, unë do të them është më i madhi, por kjo nuk ka asnjë lidhje me prishjen e kompleksit të teatrit. Dhe ky është kurthi ku të fut Rama me të tijtë. Kauza këtu është që të mos prishet kjo ndërtesë historike, që mbart kujtesën e shtetit shqiptar”.

Arkitekti Artan Raca theksoi: “E them prerazi që në këtë rast nuk është rasti për t’u prishur. Ky teatër mund të rikonstruktohet. Mund të bëhet edhe sikur të ishte gërmadhë”.

Ndërkohë, në këtë mbledhje u bë edhe një analizë e problemeve që, sipas tyre, i japin avantazhin mazhorancës për të çuar përpara prishjen e teatrit. Maks Velo u shpreh: “Arkitektët e kanë dorëzuar licencën me kohë. Specialistët tek ne, qoftë arkitektë, qoftë aktorë, nuk funksionojnë përpara njëshit”.

Çlirim Gjata nënvizoi: “Nuk ka më keq për një jurist që vjen një ditë dhe thotë që nuk ka më zgjidhje ligjore. Nuk ka ekuilibra, nuk ka institucione”.

“Përpara ca vjetësh është bërë e njëjta betejë për teatrin. Nuk janë kushtet njëlloj. Atëherë, Rama ishte i vetëm dhe opozita ishte e fortë brenda PS-së kundër kësaj. Komuniteti ishte shumë i bashkuar”, tha Artur Çani.

Nuk munguan as debatet politike, ku opozita u quajt edhe e paguar nga Aurel Plasari: “Jeni opozitë e paguar, për këtë paguheni”.

Albana Vokshi u përgjigj: “Mua më vjen keq, ju lutem mos më fyeni”.

“Pse, çfarë ka për fyerje? Brenda orarit të punës je”, ia ktheu Plasari.

Ky takim e vuri edhe një herë theksin tek shpëtimi i teatrit jo vetëm si godinë, por edhe institucion e aset i kulturës mbarëshqiptare.

Top Channel