Sot starton faza e grupeve të aktivitetit më të madh të klubeve të kontinentit, si UEFA Champions League.

Do të jetë një edicion ndryshe ky i këtij i viti, pasi UEFA ka bërë disa ndryshime dhe ajo që bie më së shumti në sy është që ndeshjet nuk do të luhen të gjitha në të njëjtën orë.

Dy prej tyre do të luhen në 18:55, ndërsa 6 takimet e tjera në orën 21:00. Grupi që do të ngrejë siparin e këtij edicioni do të jetë ai B, që konsiderohet ndryshe edhe si grupi i ferrit. Në orën 18:55, Barcelona sfidon PSV-në në një ndeshje që nuk duket aq e lehtë sa në letër, pasi holandezët po shkëlqejnë në këtë fillim sezoni në Eredivisie.

Megjithatë, vëmendja më e madhe në orën 18:55 do të jetë në “San Siro”. Interi rikthehet në Champions League pas 6 sezonesh dhe e bën këtë me një duel zjarri përballë Tottenham Hotspur. Të dyja skuadrat kanë mungesa, sidomos londinezët, dhe favoritë në këtë sfidë nuk ka.

Në orën 20:45 sytë e të gjithëve do të jenë në “Anfield Road”, aty ku Liverpooli pret Paris Saint Germain në duelin për kreun e Grupit C.

Napoli sfidon Crvena Zvezdën në Beograd, për ta nisur me këmbën e mbarë dhe pse jo për të vendosur në vështirësi “The Reds” dhe parizienët.

Në Grupin A, Atletico e Madridit e nis përballë Monacos, që ka humbur disa lojtarë të rëndësishëm në merkato dhe ka një “mal” me mungesa, megjithëse edhe spanjollët nuk po kalojnë një moment të mirë. Takimi tjetër i këtij grupi është Club Brugge-Dortmund. Në grupin D vëmendje merr sfida mes Schalke 04 dhe Portos, ndërsa Galatasaray pret në Stamboll Lokomotivën e Moskës.

Top Channel