Industria e modës po sheh nga e ardhmja. Zakonisht, ajo sheh vetëm pak sezone përpara, por kohët e fundit, disa stilistë po shfrytëzojnë pasarelat për të parë drejt së ardhmes së largët.

Megatrende si robotët po përfshihen në pasarela, duke përzierë të tashmen me të ardhmen. Në pasarelat e javës së modës në Londër, një robot është përdorur për të prezantuar modën më të fundit. Roboti “Ohmni” doli në pasarelë i dekoruar me kristale, ashtu siç i shkon për shtat një shfaqjeje të tillë.

“Synimi im ishte që të bëja bashkë modën, kulturën dhe teknologjinë, duke i vendosur në një balancë harmonike”, thotë stilistja Honee, që vendosi të përdorë robotin.

Sidoqoftë, përfshirja e robotëve në mbretërinë e modës ka joshur stilistët prej kohësh. Robotët në pasarelë janë parë për herë të parë në koleksionin e pranverës së Aleksander McQueen, në vitin 1999.

Stilisti gjerman Filip Plein i ka përzgjedhur gjithashtu ata si të ftuar nderi në disa prej sfilatave të tij. Edhe Karl Lagerfeld në vitin 2017, maskoi madje modelet nën maska robotësh në prezantimin e koleksionit pranverë-verë të Chanel.

Ndërsa në sfilatën e Fendit, vjeshtë-dimër 2014, dronët ishin ata që debutuan në pasarelë dhe shtëpia italiane e modës, “Dolce and Gabbana” përdorën dronët gjatë koleksionit vjeshtë-dimër 2018-2019 për të mbajtur modelet më të reja të çantave.

Top Channel