Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kuadër të vizitës në Shkup, ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.

“Jemi të gatshëm që t’ju urojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë”. “Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjellë edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov. Mattis Maqedoninë e ka cilësuar si “shtet partner i përgjegjshëm i aleancës” Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, i cili do t’ju mundësojë bashkimin e shtetit tuaj me 29 shtete tjera anëtare në NATO”.”Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rritni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, u shpreh James Mattis.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, tha ndërkohë se se vizita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen në një moment shumë të rëndësishëm para mbajtjes së referendumit, datës kur përcaktohet e ardhmja e Maqedonisë.

“Për Republikën e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE. “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen veri-atlantike paraqet edhe stabilitet nga infiltrimi i palëve të treta në rajon”, tha Zaev.

Vizita e Sekretarit Mattis vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare, në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të shtetit, njëherësh zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Top Channel