Një grupim anarkist, i njohur si “Rubikonas”, ka sulmuar Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.

Sipas një videoje të publikuar prej vet anarkistëve, një grup prej 10 vetësh kanë kapur në befasi rojen e armatosur të ambasadës dhe pasi e nxorën atë nga vendi i punës thyen xhamat e gjuajtën me sende të forta përfaqësinë diplomatike iraniane.

Në komunikatën për shtyp të grupit “Rubikonas” thuhet se, sulmi u krye në mbështetje të viktimave kurdë të luftimeve në veri të Iranit, mes forcave ushtarake të Republikës Islamike dhe separatistëve kurdë që veprojnë në zonat ndërmjet tri shteteve, Iranit, Turqisë dhe Sirisë.

Ndërtesa e Ambasadës iraniane pësoi dëme materiale, ndërsa autoritetet greke kanë hapur hetim për rojen e godinës, i cili ndonëse ishte i armatosur nuk reagoi fare për të penguar anarkistët, të cilët “poshtëruan” sërish policinë vendase.

Organizata “Rubikonas” është një grupim ekstremist i së majtës, i cili ka sulmuar deri më tani dhjetëra objektiva vendase dhe të huaja në Greqi. Policia greke, ndërkohë, thuajse në asnjë rast nuk ka mundur të përballet me grupin, i cili gëzon reputacion të mirë mes forcave të majta në vend, aq sa shpesh, opozita konservatore ka akuzuar kabinetin e kryeministrit Tsipras se e mbështet në heshtje atë.

Top Channel