Partizani kundër Laçit, trajneri: Luajmë vetëm për fitore

15/09/2018 18:09

Skuadrat e Kategorisë Superiore rikthehen në fushën e lojës pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtares. Ditën e diel zbresin në fushë dy skuadrat kryeqytetase, skuadra e Partizanit do të udhëtojë drejt Lacit ku i pret një ndeshje e vështirë përball kurbinasve.

“Këto dy javë na kanë shërbyer për t’u rikuperuar disa lojtarë, por edhe për të pasur ide më të qarta. Kemi patur prurje dhe kjo periudhë na ka shërbyer. Por siç na ka shërbyer, u ka shërbyer edhe të tjerëve. Laçi meriton fjalë të mira, pasi është një ekip i fortë, sidomos në fushën e vet. Është një ndeshje e vështirë, ne jemi përgatitur gjatë gjithë kohës. Kemi qëllim të qartë, shkojmë për fitore. Fusha tregon çdo gjë” u shpreh Skënder Gega, trajner i Partizanit.

Ndërsa bardheblutë e Ze Marias, pas fitores së arritur në kupë në mesjavën e shkuar, do të përpiqen të sigurojnë fitoren e parë në kampionat përball Luftëtarit ditën e diel.

“Duhet të mendojmë për gjëra pozitive dhe jo të mendojmë gjithmonë negativisht”. Jemi stërvitur shumë mirë. Djemtë do të japin maksimumin nesër kundër Luftëtarit. Mund t’jua jap që sot formacionin, s’e kam problem, pasi u premtoj të gjithëve se do të shihni një fytyrë tjetër të Tiranës. Nuk kemi luajtur keq në 3 ndeshjet tona të para, por nuk kemi fituar. Fitorja e Kupës na ndihmon në takimin e nesërm kundër Luftëtarit. Çdo fitore është pozitive për vazhdimësinë. Nuk ndihem i rrezikuar, sepse do të fitojmë”, tha Ze Maria.

Kjo javë e 4 e Superligës do të mbyllet ditën e hënë me ndeshjen mët ë fortë në letër, sic është përballja mes Flamurtarit dhe Skëndërbeut.

Top Channel