Vrasjet në Shkodër, Rama: PD s’ka gojë të flasë, e tregojnë shifrat

13/09/2018 22:38

Një tjetër çështje mjaft e rëndësishme dhe e diskutuar gjerësisht në vend gjatë ditëve të fundit, është edhe kriminaliteti në Shkodër, për të cilin opozita realizoi edhe një mbledhje të jashtëzakonshme në këtë qytet.

I ftuar në “Open” me Eni Vasilin, Kryeministri Rama ngulmoi se janë shifrat ato që e tregojnë se kriminaliteti ka rënë në qytetin e Shkodrës, por edhe në qytete të tjera të vendit, sipas tij, duke e krahasuar me periudhën kur në krye të vendit ishte PD.

“Sa i përket Shkodrës, shifrat tregojnë se numri i vrasjeve është ulur krahasuar me periudhën kur në qeverisjes ishte PD. 61 persona janë nga vrarë nga viti 2010 deri në 2013-ën në këtë qytet, ndërsa nga 2014-ta deri në 2017-ën janë vrarë 34 persona”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se 4 vrasje në një kohë të shkurtër nuk janë një lajm i mirë, por sipas tij, PD nuk ka gojë të flasë.

“Katër vrasje në një kohë të shkurtër nuk janë një lajm i mirë, por kjo nuk diskutohet që ne kemi pritshmëri më mirë se kaq. Unë po them se këta nuk kanë gojë të flasim”, u shpreh kryeministri.

Sa i përket lidhjes së mundshme të qeverisë me krimin në Shkodër, të pretenduar nga opozita, kryeministri tha se nuk merret fare me kontakte me kriminelët, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë deputet të PS që influencon policinë.

Top Channel