“Kësulëkuqja” shkon në spital, Teatri i Kukullave, shfaqje për fëmijët e sëmurë

13/09/2018 19:26

Nëse vogëlushet e sëmurë nuk mundet të shkojnë në teatër për të ndjekur një shfaqje me kukulla, janë kukullat që kanë lënë teatrin këtë të enjte, për t’i shkuar sa më pranë fëmijëve në Spitalin e Pediatrisë. Vogëlushet kanë ndjekur në një skenë të improvizuar shfaqjen “Kësulëkuqja”, një shfaqje repertori tashmë që prej 15 vitesh.

“Kemi zgjedhur të fillojmë sezonin e ri artistik në Spitalin e Pediatrisë për të treguar një aspekt social të teatrit për ata fëmijë që nuk munden ta prekin skenën e tetarit, shkojmë ne tek ata. I gjithë stafi i Qendrës Kombëtare të Fëmijëve vendosi që këtë vit të nisë ndryshe sezonin e ri artistik. Pas shfaqjes sot në Pediatri, po sot në 17:30 do të jemi në Allias, pastaj në Prezë, pastaj tek Fusha e Aviacionit, në Astir, në Shën Gjergj, duke dhënë një mesazh që Teatri Kombëtar i Kukullave nuk është për fëmijët që jetojnë në qendër, por është institucion kombëtar, i cili shkon atje ku janë fëmijët”, u shpreh Erion Isai, Drejtor i Teatrit te Kukullave.

20 shtatori do të sjellë edhe premierën e re në Teatrin e Kukullave, ndërsa në total deri në fund të këtij sezoni artistik do të jenë 10 të tilla.

“I ftoj fëmijët që në datën 15, ditën e shtunë, ora 10.00 të vijnë në sheshin e Teatrin, sepse do të kemi një shfaqje jashtë, falas dhe në datën 20 ju presim të na ndiqni në premirën e re “Princi Bretk”, tha Isai.

Top Channel