Greg Rama, djali i kryeministrit Rama ka hapur ekspozitën e tij të parë. Ai e ka quajtur atë “Fidem”, që do të thotë besim. Kuratori i ekspozitës njëherësh edhe pedagogu Vladimir Myrtezaj thotë se autori i besoi përvojave personale për këtë krijim.

Fidem do të thotë besim, sepse për një artist të ri besimi është gjithçka. Nën këtë titull vjen ekspozita e parë personale e Greg Ramës.

Një instalacion i vetëm që shtrihet në tre sallat e galerisë FAB. Një trup që i është hequr graviteti. Një masivitet shigjetash që depërtojnë murin në një bardhësi plot drite që përfundojnë gjithçka në një sferë krejt të bardhë.

Për kuratorin, njëherësh edhe pedagogun e tij autori i beson shume ndijimeve dhe përvojave personale për këtë krijim.

“i hoqëm gravitetin atmosferës. Duke i hequr gravitetin dhe duke bërë një ndriçim krejtësisht ndryshe dhe të papritur, i dhamë energji disa elementëve elementarë, me të cilën autori krijon një ide të caktuar që e lë abstrakte. Kjo ideja e sulmit, ose ideja e energjisë”, u shpreh Vladimir Myrtezaj, kurator i ekspozitës.

Greg qëndroi i tërhequr para kamerave duke e konsideruar private këtë ekspozite, edhe në hapje kishte një numër të kufizuar miqsh dhe artistësh.

“një nga elementët që ka artisti është drita që ai ka. Nuk është e thënë që të gjithë ta shohin në të njëjtin filtër, sepse ka diferencë në kulturë, për ta zbuluar”, tha Vladimir Myrtezaj.

Për kuratorin dalja e parë e autorit në publik është një pikënisje e këndvështrim i hapur që do të mundësojë hapjen e tij të radhës bazuar në kurajën dhe kapërcimet e ndërgjegjes së tij si artist në një rrugë të gjatë e të vështirë.

Top Channel