Në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, deputetja demokrate Jorida Tabaku foli edhe për nismën e PD-së për vettingun në politikë.

“Më në fund politika nuk ka më frikë që t’i vendosë emrin asaj që po ndodh në Shqipëri. Krimi po bashkëqeveris, po vriten njerëz, po rrëmbehen prona. Ndikimi i bashkëqeverisjes me krimin, në ekonomi është i thellë. Dëgjova diskutimet e pjesëtarëve të mazhorancës që kanë bërë, janë njësoj siç thoshin në kohën e dekriminalizimit”, tha Tabaku.

Ajo konfirmoi se propozimi i ofruar është i formës ultimativ dhe demokratët nuk tërhiqen prej tij, por kërkojnë që pa penguar ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së, të bëhet vetting edhe për politikanët.

“Përse nuk e kanë bërë deri më tani? Çfarë i ka penguar? Janë pikërisht ata që po pengojnë ngritjen e këtyre dy institucioneve. Të merren të gjitha vendimet e duhura e të nevojshme dhe të ngrihen ato, bashkë me vettingun e politikës për të zhdukur lidhjet me krimin”, tha Tabaku.

Top Channel