Libi, persona të maskuar sulmojnë me armë selinë e Korporatës së Naftës

10/09/2018 12:16

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar selinë e Korporatës Kombëtare të Naftës në Tripoli të Libisë, ku sipas dëshmitarëve dhe burimeve nga forcat e sigurisë janë dëgjuar shpërthime dhe shkëmbim zjarri.

Godina, e cila ndodhet pranë qendrës së kryeqytetit, është përfshirë nga zjarri e më pas është rrethuar nga shërbimet e sigurisë. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për të vdekur.

“Shërbimet e sigurisë po kërkojnë për agresorët e armatosur në ndërtesë, por prioriteti ynë kryesor është të evakuojmë civilët e bllokuar brenda”, tha Ahmed Ben Salem, zëdhënës i milicisë “al Redaa” që drejton forcën policore të Tripolit. “Situata është nën kontroll”, tha më tej ai.

Ai gjithsesi nuk mundi të jepte detaje mbi identitetin e agresorëve.

Një zyrtar i kompanisë së naftës tha se persona të maskuar shkëmbyen zjarr me rojet dhe mësynë godinën. “U hodha jashtë nga dritarja, së bashku me disa kolegë të tjerë. Më pas dëgjuam një shpërthim të fuqishëm”, tha ai, duke kërkuar të mos identifikohej.

Askush nuk e ka marrë përsipër deri më tani përgjegjësinë e sulmit.

Incidenti vjen 4 muaj pasi disa kamikazë mësynë selinë e Komisionit Zgjedhor të Libisë, duke vrarë 14 vetë, në një ofensivë të marrë përsipër nga Shteti Islamik.

Sektori jetik i naftës për Libinë ka pësuar shpeshherë bllokada nga ngjarjet e dhunshme që prej rebelimit të mbështetur nga NATO në vitin 2011, që kulmoi me rrëzimin nga pushteti dhe vrasjen e Muammar Gaddafit.

Eksportet e naftës kanë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave qeveritare gjatë sundimit të Gaddafit, me një prodhimtari prej afro 1.6 milionë fuçi në ditë. Por, prej rrëzimit të tij, prodhimi ra me 20 për qind nga niveli i asaj kohe, përpara se të rikuperohej disi në mbi 1 milion fuçi në ditë në fundin e vitit 2017.

OPEC-u, karteli i vendeve prodhuese të naftës, ka përllogaritur rezervat e naftës në Libi në 48 miliardë fuçi, sasia më e madhe kjo në Afrikë. Dy qeveri rivale dhe grupe të tjera të armatosura luftojnë ende për kontrollin e vendit dhe burimeve të tij, që prej vdekjes së Gaddafit.

Top Channel