Policia e Kosovës ndalon Vuçiç; S’i lejohet vizita në Drenicë

09/09/2018 11:58

Dita e dytë e vizitës së Aleksandar Vuçiçit në Kosovë nuk shkoi aq qetë sa e para. Grupe protestuesish bllokuan rrugën në Skënderaj e paskësaj, kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi në facebook se ia ka anuluar presidentit serb vizitën në Drenicë ku banorët zotoheshin të mos e linin atë të kalonte.

“Siguria e qytetareve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Mediat kosovare raportuan në vijim se kreu i shtetit serb vendosi ta anulonte vizitën në fshatin e Banjes. Protestës iu bashkua edhe kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, sipas të cilit është i papranueshëm fakti që vuçiç ka tentuar të hyjë në zonën më të prekur nga lufta në Kosovë.

“S’ka kuptim që ai të vijë këtu, pa kërkuar falje për krimet e luftës”, u shpreh Bekim Jashari.

Edhe presidenti serb reagoi ndaj situatës së krijuar duke thënë se gjerat lipset të zgjidhen me dialog, e jo me dhunë. Jam ende i angazhuar fuqimisht në ruajtjen e paqes, të institucioneve dhe popullit në Kosovë”, citohet të ketë thënë ai.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, sqaroi se gjendja tashmë është nën kontroll dhe se ndërkombëtarët e kanë mbështetur vendimin për t’i anuluar Vuçiçit vizitën në zonë.

Beogradi nuk ka vonoi t’i jepte ngjyrimet e tij situatës. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, pretendon se Vuçiçit i duhet të kalojë përmes kësaj rruge për të vizituar 5 qytete të tjera e thotë se prapa kësaj bllokade, qëndron kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai madje kujtoi se ushtria serbe do të respektojë vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që është komandanti supreme, pra nëse ai e kërkon, do të ndërhyhet. Vuçiç ndaloi të shtunën në liqenin e Gazivodës, i cilësuar si një nga pikat më të nxehta të bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Një pjesë e liqenit artificial të ndërtuar ne vitet 80, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi kyçe për furnizimin me ujë të termocentraleve të Kosovës dhe ne muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës përfshirë edhe kryeqytetin.

Top Channel