Takimi i shumëdiskutuar Thaçi-Vuçiç në Bruksel, i planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme, dështoi pas refuzimit të presidentit serb për t’u përballur me homologun kosovar.

Dy liderët kishin paralajmëruar një takim ku do të diskutohej një korrigjim i kufijve mes dy shteteve, por nga Beogradi u raportua se arsyeja e refuzimit të takimit, ishin “mashtrimet, kërcënimet dhe gënjeshtrat e shqiptarëve”.

Më herët presidenti serb Vuçiç kishte marrë një lejë nga autoritetet kosovare për të udhëtuar në Kosovë gjatë ditës së nesërme, por pas refuzimit të takimt të Brukselit, u përfol mbi mundësinë e anulimit të kësaj lejeje.

Fillimisht u vendos kufizimi i itinerarit të Vuçiçit në Kosovë, por më pas autoritetet kosovare kanë vendosur që vizita e presidentit serb në Kosovë të kryhet sipas kërkesës së tij, duke përfshirë edhe një vizitë në liqenin e Ujmanit.

“Kërkesa është rishqyrtuar dhe është miratuar itinerari në përputhje me kërkesën zyrtare, dhe në përputhje me rregullat për vizitat e zyrtarëve të lartë, të parashikuar me marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në përgjigjen e re të institucioneve të Kosovës, ndaj palës serbe.

Mësohet se ndryshimi i vendimit paraprak është bërë pas sugjerimeve të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Ambasadës Amerikane, që ka kërkuar shmangien e tensionit ndërmjet dy shteteve.

Top Channel