Sytë e Kosovës sot janë nga Brukseli ku Hashim Thaçi takohet me homologun serb Aleksandar Vuçiç për të diskutuar marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Takimi paraprak i presidentit kosovar me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini ka përfunduar.

“Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB”, u shpreh ai ne mbylljen e bisedimeve me kryediplomatën europiane.

“Ky rrugëtim”,-shtoi Thaçi- “do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme”. Përpara takimit megjithatë Thaçi përsëriti për mediat idenë e tij të korrigjimit të kufijve.

Mogherini u takua dhe me Vuçiç, por ndërkohë Tanjug-u ka krijuar goxha pështjellim me artikujt e tij ku pretendon se Vuçiç nuk dëshiron ta zhvillojë takimin me Thaçin në Bruksel.

Më vonë dhe shtypi kosovar citoi drejtorin e zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç të ketë pohuar gjatë një konference me reporterët në Bruksel se Vuçiç ka zgjedhur të tërhiqet nga bisedimet.

“Presidenti vendosi ta bëjë këtë”,-tha Gjuriç, “për shkak të mashtrimeve, kërcënimeve dhe gënjeshtrave të shqiptarëve të Kosovës”.

Gjuriç foli po kështu edhe në lidhje me vizitën e paralajmëruar të Kreut të Shtetit serb në Kosovë për të cilën tha se do të vendoset deri sot në mbrëmje, por ajo ka shumë mundësi të realizohet sepse Vuçiç kërkon ta vizitojë patjetër Gazivodën.

Kureshtja më e madhe rreth takimit të sotëm lidhej me planet e Thaçit për kufijtë. Kreu i Shtetit vazhdon t’i rrethoje ato me mister, çka bën që të spekulohet me forcë se në fakt, do të ketë një shkëmbim territoresh me Serbinë, e pikërisht kjo është arsyeja e bllokadës që po i bën opozita në Parlament qeverisë kosovare dhe miratimit të ekipit negociator.

Edhe takimi i thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me Kryesinë e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare, përfundoi pa asnjë marrëveshje. Partitë në pushtet këmbëngulin që parlamenti të miratojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë të propozuar nga ekzekutivi, opozita kërkon miratimin e një rezolute, e cila ta detyrojë Thaçin të mos diskutojë për shkëmbim territoresh e korrigjim kufiri me Serbinë.

Asnjëra palë nuk lëviz nga pozicioni i saj dhe secila ka bojkotuar nismat e tjetrës në Kuvend, duke bërë që për mungesë kuorumi, të dështojnë të dyja seancat e jashtëzakonshme.

Top Channel