Serbët në veriun e Kosovës po përgatiten për vizitën e presidentit Aleksandar Vuçiç, duke rregulluar – siç thotë “Radio Europa e Lirë” – deri edhe infrastrukturën rrugore.

Nisur nga zhvillimet e fundit dhe mundësia e një zgjidhjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ata presin me padurim të mësojnë se çfarë do t’iu komunikojë kreu i shtetit serb gjatë ndalesës së tij.

Është njoftuar se Vuçiç do ta përfundojë vizitën me një tubim në Mitrovicën e Veriut. Igumeni i Manastirit në Deçan, Sava Janjiç shkroi më herët në rrjetin social “Twitter” se, në shkollat serbe po bëhen të ashtuquajturat “lista të punëtorëve”, të cilët duhet të jenë të pranishëm në miting më 9 shtator, dhe se urdhri ka ardhur nga një institucion i rëndësishëm shtetëror i Serbisë.

Një veprim i tillë, sipas kryetares së Lëvizjes Europiane të Kosovës, Rada Trajkoviç, është krejtësisht – siç e quan ajo – “sekret publik”.

Duke folur për “Radion Europa e Lirë”, ajo thotë se, megjithatë, në krahasim me periudhat e kaluara, kur presioni vinte vetëm nga institucionet e shtetit të Serbisë, tashmë kjo trysni vjen edhe nga institucionet e Kosovës.

“Aktualisht, serbët e Kosovës po shtyhen nga të dyja anët dhe duhet t’i përgjigjen detyrimit të punës, i cili nënkupton praninë e detyrueshme sa herë që Vuçiç viziton hapësirën e Kosovës”, deklaroi Trajkoviç, duke shtuar se janë bërë lista paralele të atyre që duan dhe të atyre që nuk duan të jenë të pranishëm në tubim.

Top Channel