Policia hyn në lagjet e “familjeve”, kontrolle në Kiras e Dobraç pas vrasjes së biznesmenit

05/09/2018 13:20

Policia, mëngjesin e kësaj të mërkure, hyri në dy zona problematike në qytetin e Shkodrës në lagjet Kiras në të cilin qëndron familja Liçi. Më i njohuri i kësaj familje, pak ditë më parë akuzoi se shteti mbështet bandat dhe se sulmon familjen e tij.

Mustafa Liçi drejton edhe një parti politike të djathtë dhe është këshilltar bashkiak në Shkodër. Ai fiton gjithmonë 3 mijë vota në lagjen e tij. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të çuar nga Tirana, kanë patrulluar në këtë lagje e kanë bërë kontrolle nëpër banesa.

Njëkohësisht, ato kanë hyrë edhe në lagjen Dorbraç, e cila është nën një kontroll pothuajse ushtarak nga familja Bajra.

Forcat e rendit kanë hyrë edhe nëpër banesa duke bërë kontrolle të imtësishme në këto dy lagje. Aksionet erdhën pas reagimit të opozitës, e cila braktisi seancën e parë të Kuvendit dhe u mblodh në qytetin e Shkodrës në një tryezë, ku kryefjala ishte kriminaliteti.

Por më herët, qyteti i Shkodrës është tronditur nga disa ngjarje të rënda. Më 13 janar të këtij viti, Lulzim Kulla, me një të kaluar problematike i shpëtoi një atentati më bombe, por disa kalimtare u plagosen.

Sulmi ndaj tij u komentua si lufte mes bandave. Pak më vonë u ekzekutua një ish-polic dhe bashkëjetuesja e tij. Boran Bercama dyshohej se kishte lidhje me një nga familjet e njohura në Shkodër.

Edhe vrasja e Fatbardh Liçit në muajin gusht mbeti e pazbardhur dhe u komentua e lidhur me ngjarjet më të hershme. Ndërsa me një shtator u ekzekutua një biznesmen. Dyshimet janë se shënjestra ishte dikush tjetër.

Top Channel