“Fiks Fare” i siguron pensionin nënë Minekos 112-vjeçare

03/09/2018 20:47

“Fiks Fare” i siguron për një vit pensionin nënë Minekos, nga fshati Rrapaj në Memaliaj. Pak javë më parë, 112-vjeçarja u ankua se, megjithëse kishte punuar shumë gjatë në kooperativë, asaj i ishte lidhur një pension prej 5.600 lekësh dhe me këto parà, nënë Minekoja nuk arrinte të blinte dot as ilaçet.

“Kërkoj një pension për t’i bërë derman vetes”, tha nënë Minekoja, e cila ka 6 fëmijë. “Kam punuar gjithë jetën në kooperativë. Ato lekë që merrja që atëherë, ato marr tani. Nuk më dalin për asnjë gjë”, vijon 112-vjeçarja, e cila ka lindur në datën 4 tetor të vitit 1906.

Pas transmetimit të ankesës, redaksia e emisionit “Fiks Fare” i siguron pensionin për një vit. Gazetarët e “Fiksit” shkuan sërish në fshatin Rrapaj, në Memailiaj, për të takuar nënë Minekon.

112-vjeçarja ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk i mungonte as humori. Ajo tha se, me këtë gjendje është vetëm për në qoshe, ndërsa gazetarët i dhanë pensionin e një viti.

Nënë Mineko falënderoi stafin e “Fiks Fare”, ndërsa tha se gjatë të gjithë jetës së saj ka punuar, duke rritur fëmijët edhe në kooperativë. Por, në fund, shteti nuk u kujtua, pasi i ka lidhur vetëm një pension qesharak.

“Ju falënderoj të gjithëve. Për mua kujdesen nipi dhe nusja e djalit. Lidhen shumë. Po rashë s’ka kush të më mbajë”, thotë 112-vjeçarja, ndërsa në fund ka një mesazh për shtetin. “Kërkoj një pension më të mirë”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel