Në 15:40 startoi programi i përditshëm në Top Channel “Top Talk”, me gazetarin Denis Dyrnjaja, ku çdo ditë do të ketë një të ftuar që lidhet me një temë të caktuar të aktualitetit. Ekonomia është pika më e ndjeshme e shoqërisë shqiptare, e kjo ka qenë edhe arsyeja që në intervistën e parë të jetë i ftuar Arben Ahmetaj.

A ka oligarkë Shqipëria? Ka qenë pyetja e drejtpërdrejtë e gazetarit Denis Dyrnjaja për ministrin Ahmetaj, teksa ky i fundit vlerësoi se ideja e oligarkëve është një ide e mbështjellur keqazi nga mendje brenda opozitës për të kriminalizuar ekonominë.

“Ka oligarkë vetëm në virtualitetin e mendjeve të sëmura. Njerëzit që punojnë riskojnë, e në raport me riskun ka edhe benefitin dhe suksesin, por edhe falimentimin. Kjo ideja e oligarkëve është një ide e mbështjellur keqazi nga mendje brenda opozitës për të kriminalizuar ekonominë. Ka një mënyrë prej shumë vitesh për të kriminalizuar çdo gjë. Njerëz që punojnë në ekonomi kanë nevojë për respektin tonë dhe kanë detyrimin ndaj ligjit”, ka qenë përgjigjja e tij.

Një tjetër pyetje e drejtpërdrejtë për ministrin Ahmetaj ka pasur të bëjë me pastrimin e parave në Shqipëri, një çështje tepër e diskutuar.

Duke e vlerësuar sistemin bankar në Shqipëri me rregulla tepër të forta, Ahmetaj vë në dukje se është bërë gjithçka për ta ndaluar pastrimin e parave, por siç thotë ai që pastrojnë paratë, mundohen të përdorin të gjitha poret e sistemit”

“Në këndvështrimin teknik, global të gjithë vendet e kanë riskun. Në Shqipëri çdo transfertë kontrollohet, rregullat janë shumë të forta. Nga ana tjetër të gjitha ata që pastrojnë paratë, mundohen të përdorin të gjitha poret e sistemit”, ishte përgjigjja e Ahmetajt.

Ditët e fundit është hasur edhe një dizbalancim mes raportit të njerëzve që përfitojnë pension, që sa vjen e shtohen, dhe atyre që ikin në emigrim, duke ngritur pyetjen se brezat e së ardhmes mund të ndodhen përballë faktit që nuk do të përfitojnë dot pension.

Ministri Ahmetaj duke e pranuar si problematikë vuri në dukje se deri më tani raporti mes kontribuesve dhe atyre që marrin pension duhet përmirësuar në vijimësi, çka deri më tani qeveria po e bën.

“Nëse nuk përmirësohet raporti mes atyre që kontribuojnë dhe atyre që përfitojnë, rrezikohet skema e pensionit. Raporti ka qenë 1 me 1, sot e kemi përmirësuar 1,2 me 1”, u shpreh Ahmetaj.

Top Channel