Hetimet për vrasjen në Shkodër, 30 të shoqëruar. Dëshmitarët merren në mbrojtje

02/09/2018 11:00

Hetimet për të zbardhur vrasjen e biznesmenit, Arjan Ferracaku, po zhvillohen intensivisht, edhe pse deri tani nuk ka asnjë të dhënë që mund të hedhë dritë mbi motivet dhe autorët e krimit.

Policia ka shoqëruar më shumë se 30 persona, por pa rezultat. Dy janë pistat ku po përqëndrohen më së shumti hetimet; atë të përplasjeve mes grupeve kriminale dhe një gjobëvënie të mundshme që mund t’i jetë vendosur 30-vjeçarit, i cili ka kundërshtuar dhe nuk ka paguar.

Dy personat që e shoqëronin Ferracakun mbi kalë, fatmirësisht i kanë shpëtuar më së miri plumbave të kallashnikovit dhe mësohet se ata janë marrë në ruajte nga policia.

Shkodra mund të cilësohet si qarku më problematik sa i takon rendit dhe sigurisë gjatë këtij viti, e në veçanti gjatë muajve të fundit. Gjashtë të vrarë në harkun kohor të 3 muajve është bilanci i viktimave në qytetin verior, i cili në fillim të vitit u trondit edhe nga disa shpërthime me tritol.

Edhe vrasjet e tjera të bujshme, si ajo e ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvi Ndoci, apo vrasja e Fatbardh Liçit në fillim të gushtit, vijojnë të jenë të pazbardhura dhe pa autorë.

Pak ditë më parë, edhe dy persona të tjerë janë denoncuar të zhdukur nga familarët e tyre. Për të konfirmuar situatën “jashtë kontrollit”, në Shkodër shkoi të shtunën edhe vet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Lexo edhe:
Ekzekutohet biznesmeni në Shkodër, asnjë motiv dhe autor

Në skedarët e uniformave blu, sipas burimeve, në këtë qark janë evidentuar të paktën 3 grupe kriminale, por asnjë prej tyre nuk është goditur ende nga operacioni “Forca e ligjit”, i lançuar nga qeveria me shumë bujë që në nëntor të vitit 2017.

Zona e Dukagjinit në Qarkun e Shkodrës ishte një ndër më problematiket edhe në vitin 2016, ku në vend u përhap masivisht kultivimi i kanabisit. Situata në Shkodër pritet t’i nënshtrohet një analize të gjerë të sektorit të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Studimeve Strategjike, për të nxjerrë shkaqet se përse ky qytet është kthyer në vatrën e kriminalitetit.

Top Channel