Përfundon Lin-Pogradec, Gjiknuri: Ky, standardi i qeverisë për rrugët

02/09/2018 13:06

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, përuruan përfundimin e punimeve në aksin 16.5 kilometra të gjatë që lidh Linin me Pogradecin.

Vepra infrastrukturore ishte zvarritur prej vitesh, ndërsa vjeshtën e kaluar u bë e mundur zgjidhja e problemit të financimit e më tej përfundimi i aksit.

“Rrugë e kategorisë C1 me të gjitha elementët e sigurisë rrugore, elementët dekorativë, ndriçim dhe një trotuar që është një projekt tejet i veçantë për shkak të liqenit, si një pasuri që ne e kemi. Trotuari fillon në Lin dhe përfundon në Pogradec. Është një rrugë që i ka të gjitha parametrat e plotë dhe me një cilësi shumë të mirë punimesh, me nënkalime këmbësorësh dhe me të gjithë elemenët e sigurisë rrugore”, tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri vuri theksin te transformimi që i ka sjellë zonës ky aks rrugor, i shoqëruar edhe me ndërhyrjen për pastrimin e vijës së liqenit nga ndërtimet pa leje.

“Po të kthejmë kokën përpara pak vitesh, kjo pamje e liqenit, pra mbi 16 kilometra ka qenë totalisht tjetër. Një rrugë e ngushtë, e shkatërruar dhe një liqen tërësisht i zënë nga ndërtimet pa leje. Sot që flasim kemi një breg të liqenit tërësisht të transformuar, një nga veprat më të bukura. Kushdo që do të vijë në Pogradec, një qytet që ka shumë atraksione turistike do të shohë një nga rrugët më të bukura të realizuara në vendin tonë. Ky do të jetë standardi i qeverisë shqiptare për të gjitha rrugët e reja dhe kantieret që ne po hapim dhe që do t’i përfundojmë në këto 3-4 vitet e ardhshme të qeverisjes sonë”, nënvizoi më tej ai.

Gjiknuri dhe Qendro inspektuan më pas edhe punimet që po vazhdojnë në një tjetër vepër infrastrukturore, tunelin panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit. Ky segment do të ketë një gjatësi prej 1 kilometër dhe ajo çfarë e bën të veçantë është gjysmëtuneli që krijon mundësinë e një pamjeje piktoreske përgjatë rrugës. Në këtë projekt kanë përfunduar segmentet rrugore ndërmjet gjysmëtuneleve, si dhe 85% e punimeve ndërtuese të strukturave.

Top Channel