Opozita, bashkë në zgjedhje. Basha: Nuk do të ketë marrëveshje me Ramën

31/08/2018 12:42

Lajmin e kishte dhënë më herët Monika Kryemadhi, ndërsa Lulzim Bashës i mbeti vetëm ta konfirmonte. Dy partitë më të madha opozitare do të shkojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

“Nuk është sekret që opozita do të dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale. Kjo është shprehje e vullnetit të LSI-së dhe PD-së. Opozita do të përballet e bashkuar me të gjitha sfidat. Një nga këto sfida janë edhe zgjedhjet lokale”, theksoi Basha.

Kryedemokrati u tregua kategorik kur u pyet nëse është e mundur një bashkëqeverisje me socialistët: “Nuk do të ketë as bashkëqeverisje me Edi Ramën, as pakt me Edi Ramën, pa i dhënë zgjidhje politike katastrofës në të cilën ndodhet vendi.

Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Lulzim Basha nuk dëshiroi të tregonte cila do të jetë qasja e demokratëve me Kuvendin. Ai tha se PD ka një prioritet dhe do të shfrytëzojë të gjithë arsenalin e saj: “Prioriteti numër një është që të shkëpusim lidhjet e krimit me qeverinë, që do të thotë të kemi një kryeministër dhe ministër të Brendshëm që nuk janë të lidhur me krimin. Ne do të bëjmë gjithçka që arsenali opozitar disponon”.

Top Channel