Salianji: Miku trafikant i Taulant Ballës, pasuri publike nga ministrat e Ramës

27/08/2018 11:45

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi paraditen e së hënës se “Edmond Bego, miku trafikant droge me 5 emra i Taulant Ballës, nuk ka përfituar vetëm para’ publike në kundërshtim me ligjin, por ka përfituar edhe pasuri publike”.

“Për shumëfishimin e pasurisë së mikut trafikant droge të Taulant Ballës janë përfshirë edhe ministrat e Edi Ramës. Damian Gjiknuri, 3 vjet më parë, atëherë kur trafikanti i drogës Bega dhe politikani Balla u bënë miq familjarë, ka firmosur leje minerare pa garë për Edmond Begon. Leja minerare është dhënë në zonën elektorale të Taulant Ballës, në Elbasan, njësoj si shumica e punëve të tjera publike. Sipas lejes që ka firmosur Damian Gjiknuri, miku trafikant droge i Taulant Ballës, ka të drejtë të shfrytëzojë për 25 vjet pasuritë natyrore në interes të biznesit të tij të ndërtimit, i cili duhet të ishte tani nën sekuestro nga prokuroria. Prokuroria sërish hesht dhe bën të njëjtën lojë si në rastin e Agron Xhafës”, deklaroi Salianji.

“Taulant Balla hesht, edhe Edi Rama hesht, që të mbulojnë me harresë përfitimet skandaloze dhe të paligjshme të trafikantit të drogës, pasi ai u bë mik familje me Taulant Ballën dhe që tani implikojnë edhe ministrin Damian Gjiknuri. Njësoj si për lejen minerare të firmosur nga Damian Gjiknuri, PD ka sjellë fakte dhe dokumenta që provojnë se miku trafikant i Taulant Ballës e ka shumëfishuar pasurinë duke shkelur ligjin për prokurimin publik. Ligji skualifikon nga gara çdo ofertues, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale, si Edmond Bego”, shtoi Salianji.

Top Channel