Vettel, optimist për motorin e ri; Raikkonen, me “këmbë në tokë”

24/08/2018 19:05

E premtja e provave të lira ka rezultuar pozitive për Ferrarin, përpara provave zyrtare për “pole position” dhe garës së vlefshme për Çmimin e Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps.

Vettel kryesoi fillimisht sesionin e parë, ndërsa Raikkonen mori frerët në sesionin e dytë, duke demostruar kështu një konkurrencë pozitive, si sa i përket një xhiroje të vetme, ashtu edhe për treguesit për garën.

“Ishte një ditë pozitive, edhe pse makina nuk është ende siç do ta doja unë. Duhet të punojmë pak më shumë, ndoshta Raikkonenit i eci më mirë për xhiron më të shpejtë. Gjithsesi kemi kohë për të sistemuar gjërat. Sfida e motorëve përballë Mercedesit? Duhet të shohim sesi do të shkojnë kualifikueset e së shtunës për të pasur një ide më të mirë, por fuqia e motorëve do të vlejë shumë nga këtu e deri në garën e Monzas. Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për atë që mund të japim. Për momentin jemi të kënaqur dhe plot besim”, thotë gjermani i Ferrarit, Seb Vettel.

Ndërkohë, pavarësisht se arriti kohën më të shpejtë të sesionit të dytë të provave të lira, “njeriu i akullt” nga Finlanda duket me këmbë në tokë.

“Për motorin e ri është e pamundur të japim vlerësim për dallimet me të tjerët, që kemi përdorur për herë të fundit 3 javë më parë, për më tepër në një pistë tejet të ndryshme. Gjithsesi, ndjenja e progresit ndihet dhe natyrisht që duhet të ofrojë përmirësime”, tha Kimi.

I pyetur nëse mund të luftojë për “pole position” apo fitoren e garës në pistën belge, njëra nga të preferuarat e tij, Raikkonen shprehet me gjakftohtësinë e zakonshme të tij.

“Të shohim, është vetëm e premte sot. Moti ndoshta mund të jetë një faktor, pasi ndryshon shpejt. Sot prisnim reshje shiu, por mund të nisin në çdo moment”.

Top Channel