Në pistën e SPA Frankorshomp në Formula 1 u konsumua një tjetër kapitull i sagës mes Fernando Alonsos dhe skuadrës së Red Bullit.

Pas ironisë së skuadrës që e cilësoi pilotin iberik si një njeri që mbjell kaos kudo që shkon, ishte drejtuesi i njëvendëshes së McLaren që bëri lëvizjen e radhës.

“Një skuadër pretendente më ka kërkuar dy herë këtë sezon, por largohem nga Formula 1 sepse nuk më jep më emocionet e të kaluarës. Red Bulli më ka kontaktuar dy herë”, tha Alonso.

Piloti spanjoll la të kuptohej se ishte pikërisht ai që refuzoi skuadrën austriake dhe jo preferenca e drejtuesve për të mos patur në ekip një karakter të vështirë që për hir të së vërtetës, talentin dhe përplasjet i ka patur në të njëjtën valë në shumë bokse ku ka qëndruar.

Raporti aspak idiliak mes Alonsos dhe Red Bullit mbetet gjithsesi një situatë që i shërben pak ambientit të Formula 1. Spanjolli do të largohet nga garat spektakolare, ndërsa skuadra pretendente për titull ka vendosur t’i besojë talentit Gasli për zëvendësimin e Riçardos në fundin e këtij sezoni.

Top Channel