Ekonomia gjermane u reziston “fërkimeve” tregtare, rritet në të gjithë sektorët

24/08/2018 10:17

Zyra Federale e Statistikave në Gjermani raportoi se të gjithë sektorët e ekonomisë gjermane, u rritën në tremujorin e dytë të vitit 2018, pavarësisht fërkimeve tregtare ndërkombëtare.

Të dhënat treguan se shpenzimet e shtetit, investimet dhe konsumi privat nxitën rritjen midis prillit dhe qershorit, duke konfirmuar një lexim paraprak prej 0.5 përqind.

Investimet në sektorin e ndërtimit dhe shpenzimet shtetërore u rritën më së shumti, me një rritje prej 0,6 për qind.

Shifrat konfirmuan një prirje në ekonominë më të madhe të Evropës, e cila gjithnjë e më shumë varet nga nxitësit e brendshëm të rritjes, ndërsa eksportet dobësohen. Konsumi privat është rritur për tetëmbëdhjetë muaj me radhë.

Zyra e Statistikave tha se eksportet u rritën me 0.7 përqind në tremujorin e parë dhe importet u rritën me 1.7 përqind, gjë që rezultoi në zbritjen e tregtisë neto prej 0.4 pikë përqindjeje nga rritja.

Carsten Brzeski, përfaqësues i “ING Diba” tha se shifrat e publikuara të premten, pritet të lehtësojnë kritikën ndërkombëtare ndaj Gjermanisë për mbingarkesën e saj në eksporte.

“Duke sfiduar kritikën ndërkombëtare të dëgjuar shpesh, ekonomia tashmë po tregon një model rritjeje shumë të balancuar”, shkroi ai në një shënim për klientët. Ai tha se ekonomia kishte dhënë “një konfirmim të plotë”, me të gjithë sektorët në rritje.

Top Channel