Francesco Renzi bëhet prej kësaj të marte një futbollist i Udineses. Djali i ish-kryeministrit të Italisë, i cili ishte në provë prej një muaji te klubi bardhezi, ka kaluar të gjitha provat e nevojshme, e kësisoj, nga 15 shtatori i ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së të rinjve, që do të marrë pjesë në kampionatin Primavera 1.

Kohët e fundit u bënë gjithnjë e më të shpeshta takimet mes përgjegjësit teknik, Daniele Pradè, përgjegësit organizativ të grupmoshave të klubit friulan, Angelo Trevisan, si dhe trajnerit të Primaverës, David Sassarini. Përfshirja e Renzi Junior në ekip do të formalizohet pikërisht këtë mbrëmje.

Djaloshi në fakt u ka pëlqyer për atë që ka treguar në fushë, por edhe për mënyrën e futjes dhe përshtatjen me grupin. Ai vjen pas një eksperience me grupin e nxënësve (Allievi) të Affricos së Firences, sikurse edhe si titullar në një turne rajonal.

Francesco ka spikatur me lëvizshmërinë e tij, roli i tij në fushë është qendërsulmues, por i pëlqen shumë edhe të lëvizë dhe të vihet në shërbim të shokëve të skuadrës. Mbi të gjitha, drejtuesit e Udineses kanë ngelur të mahnitur nga mënyra sesi është imponuar në grup.

Mbiemri “me peshë”, gjithsesi nuk ka qenë aspak barrë për të, përkundrazi ka ditur të sillet shumë mirë. Në miqësoren e parë të zhvilluar kundër Venezias pati një interesim të jashtëzakonshëm të publikut, kryesisht për shkak të pranisë së Francescos.

Tashmë mbeten pak më shumë se 3 javë nga debutimi në kampionat. I ati, Matteo Renzi, herët a vonë do të duhet të jetë i pranishëm në shkallët e stadiumit. Mbi të gjitha, sepse prania e prindit është një ndihmë e madhe për fëmijën, por pa i vjedhur vëmendjen të birit.

Top Channel