Veliaj: Zëvendësojmë rrjetin e vjetër, dyfishim të prurjes së ujit

18/08/2018 12:33

Afro 28 mijë banorë të Njësisë 7 do kenë ujë më cilësor dhe shërbim më të mire në shtëpitë e tyre. Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur shtrimin e një linje të re përgjatë Rrugës së “Kavajës”, çka do të sjellë një shpërndarje më të mirë në rrjetin e ujësjellësit, si dhe ujë më cilësor për banorët e kësaj njësie.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe theksoi se ky investim vjen edhe si një shpërblim për një nga lagjet që është më korrekte në pagesën e ujit.

“E gjithë zona e Njësisë 7 ka rreth 28 mijë banorë, të cilët përfitojnë nga ky rrjet i ri ujësjellësi. Është një nga njësitë model dhe më shembullore me mbi 95% në pagesat e ujit, do të thotë që do të marrin mbi 95% të investimeve të zonës. Besoj se shpërblimi me punë i atyre që janë të rregullt ne pagimin e këtij malli të çmuar, si uji, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është fabula e bashkisë sonë’, deklaroi kreu i bashkisë së Tiranës.

Veliaj pohoi se rrjeti i ri zëvendëson rrjetin e vjetër të vitit ’63, i cili ishte totalisht i amortizuar, çka pritet të rrisë edhe presionin e ujit nëpër banesa, duke mundësuar ujë në mënyrë të rrjedhshme edhe për katet më të larta të pallateve. “Rrjeti i ri zëvendëson një rrjet të vjetër para 55 vjetësh, një rrjet gize totalisht i amortizuar dhe tani kalojmë nga 1.5 bar të presionit të ujit në 3 bar. Do të thotë që dyfishohet presioni dhe në pjesën më të mirë të pallateve nuk do të ketë më as nevojë për pompa elektrike që çojnë ujin deri në katet fundore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se puna do të vazhdojë edhe me dy projektet madhore, sipas marrëveshjes së bërë tashmë me BERZH dhe nga i cili do të rritet kapaciteti filtrues në Bovillë dhe do të shtrihet linja e re për zonën e Astirit. “Do të vazhdojmë me këtë ritëm me investimet e ujësjellësit dhe sigurisht, dy investimet madhore të 6-mujorit të dytë do të jenë dyfishimi i kapacitetit filtrues të Bovillës me kredinë e BERZH-it, si dhe linja direkte nga Bovilla deri te Astiri”, theksoi kryetari i bashkisë.

Ai shprehu angazhimin e punonjësve të bashkisë për të përfunduar në kohë punimet në kryeqytet, edhe pse ka pasur vonesa për shkak të kushteve të vështira atmosferike. “Kemi punuar me 3 turne për t’u siguruar që shtatori na kap me të gjitha institucionet arsimore, por mbi të gjitha me të gjithë infrastrukturën në rregull. Rruga e Kavajës ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Filluam me ishullin në mes që po bëhet një korsi biçikletash. Tani jemi duke punuar në të dy anët e Rrugës së Kavajës me një rrjet uji, i cili lidh investimin që bëmë vjet te Parlamenti deri te 21-shi”, tha Veliaj.

Top Channel