Tragjedia në Genova, në ceremoninë e viktimave dhe dy emigrantët shqiptarë

18/08/2018 14:45

Presidenti italian Sergio Matarella, me në krah kryeministrin Giuseppe Conte, drejtoi funeralin shtetëror të 19 viktimave të tragjedisë së Gjenovës. Në “ditën e dhimbjes”, i gjithë qyteti u bë një me të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë fatkeqësi.

Shembja e asaj ure, thote shtypi vendas, e lëndoi keq zemrën e Gjenovës e një plagë kaq e thellë sa kjo, do të dojë kohë të mbyllet. Të pranishmëve në ceremoninë mortore, kardinali i qytetit, Angelo Bagnasco, iu drejtua me këtë mesazh: e dimë se çdo fjalë njerëzore, edhe pse e sinqertë, pak ngusheëlim sjell përballë një fatkeqësie të tillë, të cilën as drejtësia vetë, aq e nevojshme, nuk e zhbën dot.

Lexo edhe:
Kush janë dy shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Xhenovas

Në mesin e arkëmorteve ishin dhe ato të dy të rinjve shqiptare, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në urën e tragjedisë atë dite fatkeqe sepse po shkonin në punë.

Marjusi, nga Shijaku, kishte pak ditë që ishte kthyer nga pushimet nga Shqipëria. Ndërsa trupi i Admirit u gjet në sytë e prindërve të tij dhe bashkëshortes. Matarella, i prekur me herët nga vizita në vendin e shembjes, e sidomos pamja e makinës së shkatërruar ku u shuajt e gjithë familja Cecala, i përqafoi të afërmit e viktimave me të mbërritur në ceremoni.

Duartrokitje prekëse shoqëruan dhe leximin e emrave të viktimave, ndërsa nga qytetarët e mbledhur aty, pati fërshëllima për disa parlamentarë. Një pjesë e familjeve megjithatë zgjodhen ti qëndrojnë larg ceremonisë së të shtunës dhe të preferojnë funerale private, për shkak të zemërimit me qeverinë. “Shumë prej tyre nuk kanë dashur të bëhen pjesë e këtij show dhe unë i kuptoj fare mirë”, tha për BBC at Mauro Brezzo, kapelani i spitalit San Martino në këtë qytet.

Nunzia, nëna e 26-vjeçarit Gerardo Esposito që vdiq nga rrëzimi i Morandit, i tha shtypit italian se bën shtetin përgjegjës për ndodhinë dhe se parada e politikanëve në funeral ishte e turpshme. Deri tani, 38 persona është numri i konfirmuar i vdekjeve nga kjo fatkeqesi, ndërsa 5 vetë ende konsiderohen të zhdukur, por në këtë pikë, gjetja e të mbijetuarve të tjerë është thuajse e pamundur.

FOTO GALERI
1/21

Top Channel