PD, Salianji: Prokuroria të reagojë për përgjimet e socialistit Çyrbja

18/08/2018 13:20

Partia Demokratike ka kërkuar që prokuroria të reagojë ndaj deputetit socialist Jurgis Çyrbja, pas përgjimeve të bëra publike për përfshirjen e tij në bandën e Emiljano Shullazit, dhe bashkëpunëtor për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme në emër të tij.

“Në një përpjekje të dëshpëruar, deputeti i Edi Ramës mashtroi dje shqiptarët dhe u përpoq t’u hidhte hi syve për të shpëtuar veten.

Lexo edhe:
Çyrbja i përgjigjet akuzave të Alibeajt: Kam sqaruar gjithçka në Prokurori

Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti I Edi ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çeshtjen e hotel Vollgës. Kjo pronë është rregjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në parlament nën mbrojtjen e Edi Ramës. Edi Rama, njësoj si prokuroria që ka në varësi, hesht prej 24 oresh. Pse e ka kyçur gojën Rama, i cili komenton edhe fustanet e grave, por jo lidhjet e deputetit të tij të Shijakut me bandën e Emiljano Shullazit?!”, thotë Ervin Salianji, deputet i PD-së.

Ai akuzon kryeministrin Rama se kështu “po mbron Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Mark Frrokun, Arben Ndokën, Armando Prengën dhe çdo lidhje të krimit brenda dhe jashtë parlamentit”.

Top Channel