Interi gati për startin e sezonit, Spalletti karikon skuadrën

18/08/2018 17:03

Interi do të startojë sezonin e ri nesër në mbrëmje, në orën 20:30, me transfertën e Reggio Emilias ndaj Sassuolos, ndërsa pasditen e sotme, trajneri Luciano Spalletti ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp.

Nga merkatoja, te Modriç, skema që do përdorë dhe objektivat e sezonit të ri, kanë qenë tema e diskutimit mes Spallettit dhe gazetarëve të pranishëm në këtë konferencë shtypi.

Çfarë sezoni prisni?
Do të duhet të luajmë për të fituar të gjitha takimet, për të parë më pas se deri ku do të arrijmë, vijmë pas një sezoni të vështirë, por edhe pozitiv, megjithatë diçka duhet të përmirësojmë këtë sezon. Donim këtë “biçikletë” dhe tani që e kemi, duhet të pedalojmë fort.

Si ju duket skuadra, krahasuar me vitin e kaluar dhe cili është moduli që do të aplikoni?
Kemi afruar disa lojtarë me eksperiencë të madhe, ashtu si edhe të tjerë të rinj, me dëshirë për të bërë mirë. Them se jemi dukshëm më të fortë në letër, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Sa i përket modulit, nuk është se ka një skemë fituese, te e cila duhet të bazohemi. Fillimisht lojtarët e mi duhet të nisen me mentalitetin e duhur në çdo ndeshje, pastaj, moduli është i fundit që bën diferencën.

Si është skuadra në prag të transfertës ndaj Sassuolos?
Skriniar nuk është në formën më të mirë, por e kam grumbulluar. Nainggolan vijon të ketë probleme dhe duhet ta menaxhojmë me kujdes, për të mos rrezikuar. Perisiç dhe Vrsaljko mbeten për t’u parë, pasi nuk kanë zhvilluar asnjë miqësore me skuadrën. Pjesa tjetër janë të gjithë në dispozicion për të luajtur.

Ju mungon ende ndonjë element?
Jo, tani mund ta them me bindje që jemi të kompletuar. Kemi një organikë me shumë lojtarë cilësorë, që kanë karakteristika të ndryshme nga njëri-tjetri dhe do të na mundësojnë të shfaqim mënyra të ndryshme loje.

Cilat janë objektivat e Interit këtë sezon?
Të shkojmë sa më larg të mundemi në Ligën e Kampionëve dhe sigurisht, të rivalizojmë deri në fund për titullin kampion, ndonëse e dimë që Juve është një hap para të tjerëve.

Ç’mendim keni për çështjen Modriç?
Nuk e kam grumbulluar, sepse nuk ishte në formën më të mirë (Qesh), Nuk dëshiroj të flas për lojtarë të skuadrave të tjera.

Top Channel