Tirana do të nisë një epokë të re, për të harruar mëkatet e së shkuarës dhe për të filluar një rrugëtim me synime të mëdha. Hapi i parë do të jetë ndaj Kamzës këtë të shtunë dhe bardheblutë do të bëjnë maksimumin për të marrë tre pikët.

Skuadra është plotësisht gati dhe këtë e konfirmon edhe trajneri i 24 herë kampionëve të Shqipërisë, Ze Maria.

“Miqësorja me Prishtinën ishte një ditë e keqe, pasi ishim të ngarkuar fizikisht. Tani mund të them se jemi gati për Superioren. Duhet të përpiqemi të fitojmë dhe nëse duam ta bëjmë këtë, atëherë duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë në fushë. Kamza ka ndryshuar, por ne merremi me veten tonë. Duhet të tregojmë forcë dhe dëshirë. E rëndësishme është të luftosh, sepse njerëzit këtu nuk e pranojnë vendin e dytë, Duhet të luftojmë dhe të mendojmë vetëm se çfarë duhet të bëjmë ne”, tha trajneri brazilian i bardhebluve.

Tirana historikisht e ka nisur kampionatin me synimin për të fituar titullin kampion, por tekniku brazilian nuk kërkon të bëjë premtime të parakohshme dhe shprehet se Tirana e vërtetë do të duket pas ndeshjes së tretë.

“Është shpejt të flasim për objektiva, pasi jemi vetëm në fillim të sezonit, Do të përpiqemi të luftojmë në maksimum dhe këtë ua premtoj edhe tifozëve. Nuk dua të flas para kohe, sepse nuk dua që të luajnë me mua, nëse nuk ia dalim të shpallemi kampionë. Do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje, pavarësisht vështirësive. Klubi më ka dhënë lojtarë me kualitet, por ata duan kohë të përshtaten. Doja një sulmues pasi Ngo’o nuk është gati, Pas ndeshjes së tretë do të shihni Tiranën e vërtetë, ndërsa për momentin më duhen pikët dhe jo loja”, deklaroi Ze Maria.

Hermetik në konferencën për mediat, trajneri i bardhebluve nuk ka dashur të komentojë derbin e kryeqytetit, ku Tirana nuk fiton prej shumë vitesh.

“Unë merrem me skuadrën time dhe jo të tjerat. Sa i përket derbit, është ende shumë herët për të menduar për Partizanin. Nuk e di çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara, por pas Skënderbeut, do të flasim edhe për Partizanin”, tha tekniku brazilian.

Top Channel