Në limitin e merkatos, Miralem Pjaniç u bind për të mos braktisur kampionët e Italisë, pavarësisht ofertave joshëse jashtë Apenineve. Juventusi bëri një goditje të rëndësishme në merkato, duke mbajtur mesfushorin boshnjak, i kërkuar me ngulm prej muajsh nga Reali i Madridit.

I konsideruar si truri i skuadrës torineze dhe një lojtar i paprekshëm nga trajneri Massimiliano Allegri, Pjaniç arriti akordin për të rinovuar deri në vitin 2022, me një përmirësim domethënës në aspektin ekonomik.

Futbollisti boshnjak do të kalojë nga 4.5 milionë në 7 milionë euro në sezon, një shifër që e vendos në hierarkinë e Juventusit në krah të argjentinasit Paulo Dybala. Para Pjaniç, në mënyrë të kuptueshme është vetëm Cristiano Ronaldo.

Ndërkohë në Spanjë vazhdojnë të hamendësojnë për një kalim potencial të mbrojtësit Marcelo te Juventusi. Futbollisti brazilian e pëlqen një aventurë në Itali, por diferencat ekonomike janë të dukshme.

Gjithashtu, Juventusi ka refuzuar shitjen e Alex Sandro te Paris SG, sinjal i qartë se për një lojtar të ngjashëm në rol si Marcelo do të flitet vetëm sezonin e ardhshëm.

Top Channel