Gushti i politikës/ Çështjet kyçe mbeten pezull, parlamentarët nuk prishin pushimet

17/08/2018 20:53

Në fund të Korrikut Gramoz Ruçi shpërndau Parlamentin duke paralajmëruar deputetët se ekzistonte mundësia që të ndërprisnin pushimet për një seancë të jashtëzakonshme, që përveç emrave për Gjykatën Kushtetuese, shpresohej se do të zgjidhte ngërçin me Shkollën e Magjistraturës.

Shpresa e mazhorancës për gjetjen e një dakordësie me opozitën u godit nga Lulzim Basha në daljen e fundit mediatike, para se edhe kryedemokrati i opozitës të merrte pushimet.

Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, si me zë amerikan ashtu edhe evropian, politika shqiptare nuk e prishi rehatinë e gushtit buzë detit. Shqipëria vijon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës vazhdon të jetë e bllokuar, por ndërkohë mësuam se Zaho mësoi notin.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha u kujdes të mos lërë gjurmë publike të pushimeve të tij ,që nga selia blu thuhet se i ka kaluar kryesisht në Qerret.
Kryedemokrati është kthyer tashmë në zyrën e tij në Tiranë, ndërsa Kryeministri njoftoi me një ndalesë nga berberi, se edhe ai po bëhet gati të mbyllë pushimet. Shtatori do t’i gjejë përsëri në llogore, ndonëse me propozime për palën rivale.

Ndërsa Lulzim Basha do të bëjë publik propozimet e tij për amendimin e ligjit antimafia, me qëllim kontrollin e atyre që i quan klientë të Qeverisë.
Me nisjen e vjeshtës, të dy duhet të merren edhe me çështjet e brendshme. Rama duhet të vendosë nëse do të bëjë ndryshime në qeveri, ndërsa Basha ka zgjedhjet në parti që duhet të mbyllë, para se të bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel