Tjetër pedonale në Tiranë, përfundon rruga “Faik Konica”

16/08/2018 14:08

Një tjetër rrugë pedonale i është shtuar qytetit të Tiranës. Bashkia ka përfunduar investimin në rrugën “Faik Konica”, që lidh “Arenën Kombëtare” me Fakultetin e Gjeologjisë, një rrugë e shtruar me kalldrëm dhe mermer.

Kryebashkiaku Veliaj tha se rruga e re, përmes sistemit të pistonave të mund të kthehet në një hapësirë vetëm për këmbësorët, që mund të shërbejë edhe si vend për panaire të ndryshme.

“Për të gjithë ata që duan të shohin vizionin sesi e planifikojmë Tiranën, një rrugë e tillë, e cila mund të kthehet e të konvertohet edhe në hapësirë pedonale me piston për të pasur një panair ushqimor, një treg fshatar gjatë fundjavave, pra për t’i pasur rrugët shumëpërdorimshe, jo vetëm si pista për të xhiruar gomat, por edhe si hapësira ku komuniteti mund të mblidhet dhe nga rrugë mund të rikthehet në shesh, në një shesh linear, ku njerëzit kalojnë kohën e tyre të lirë”, tha kryebashkiaku.

Veliaj tha se rruga “Faik Konica” është e para e një pakete rrugësh që do të ndërtohen me kalldrëm, ku përparësi do të ketë lëvizja e qytetarëve dhe jo e makinave.

“Jam shumë i lumtur që ky projekt pilot i shtrimit të rrugëve me kalldrëm, ku për herë të parë kemi bordura mermeri, ku kemi investuar nga e para të gjitha rrjetet bashkëkohore, duke nisur nga fibrat optike dhe deri te kanalizimet, besoj që e ka ngritur standardin e punëve publike në qytetin e Tiranës dhe nga përshtypjet që morëm nga banorët duket tamam si jashtë shtetit”, shtoi më tej Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ndërtimi i kësaj rruge të re permirëson jetën e të gjithë komunitetit të zonës.

“Kjo është një rrugë jo shumë e gjatë në distancë, por sigurisht shumë e gjatë në luftën dhe betejën për të ndryshuar mentalitetin. Në këtë rrugë i kemi parë të gjitha, nga grupet ‘mos ma prek parkun, teatrin, rrugën, mos ma prek këtë apo atë’, sepse me sa duket për disa njerëz, të jetuarit në mizerie është stil jete, ndërkohë aspirata e qytetit është të dalim nga mizeria, të jetojmë më mirë dhe gjërat bëhen më mirë jo kur nuk i prek, por kur i prek. Ndaj vumë dorë në këtë rrugë, që besoj se është një ndër rrugët më bukura të Tiranës”, tha Veliaj.

Rruga “Faik Konica” ndodhet në Njësinë 2, në pjesën jugore të Tiranës, e konceptuar si zonë pedonale, me trafik të kufizuar, me pistona të lëvizshëm, me një sens kalimi dhe me korsi biçikletash.

Top Channel