Pompeo prezanton shefin e “Grupit të Veprimit ndaj Iranit”

16/08/2018 22:24

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo emëroi sot këshilltarin e lartë të politikës, Brian Hook, si përfaqësues special për Iranin. Ky veprim erdhi pasi administrata Trump është përgatitur për të rritur presionin ekonomik ndaj Iranit dhe për ta detyruar atë t’i japë fund programit bërthamor dhe mbështetjes për grupet militante në Lindjen e Mesme.

“Hook do të udhëheqë Grupin e Veprimit ndaj Iranit, për të koordinuar veprimet e Departamentit të Shtetit ndaj tij”, tha Pompeo në një konferencë shtypi.

Njoftimi nuk ishte një surprizë, pasi Hook ka udhëhequr bisedimet e Departamentit me aleatët në Evropë dhe Azim, për t’i bindur ata të ndërpresin furnizimet e naftës nga Irani, që nga nëntori.

“Grupi i Veprimit ndaj Iranit do të jetë përgjegjës për drejtimin, rishikimin dhe koordinimin e të gjitha aspekteve të veprimtarisë së Departamentit të Shtetit, lidhur me Iranin dhe do të raportojë direkt tek unë”, tha Pompeo.

Trump njoftoi në maj se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin nga një marrëveshje bërthamore me Iranin, e nënshkruar më 2016-ën midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Presidenti amerikan ka thënë se do të jetë i gatshëm të takohet me udhëheqësin e Iranit, edhe pse Teherani tha se rruga për në bisedime ishte që Shtetet e Bashkuara të ktheheshin të respektonin marrëveshjen bërthamore.

Uashingtoni synon të detyrojë Teheranin që t’i japë fund programit të tij bërthamor dhe mbështetjes së grupeve militante në Lindjen e Mesme, ku Irani është i përfshirë në luftëra të ndërlikuara nga Jemeni në Siri.

Irani dhe nënshkruesit e tjerë, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën, po punojnë për të gjetur një mënyrë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ri-vendosin disa sanksione mbi Iranin.

Top Channel