Lufta tregtare Turqi-SHBA, Erdogan dyfishon disa tarifa

15/08/2018 10:08

Turqia ka dyfishuar tarifat ndaj disa produkteve të importit me origjinë amerikane, siç janë autoveturat dhe alkooli, në atë që zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay e ka cilësuar si përgjigje ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara mbi ekonominë turke.

Ky hap, sipas Reuters vjen pas rritjes së tensioneve në mes të dy aleatëve të NATO-s, si pasojë e burgosjes së një pastori amerikan në Turqi dhe çështjeve të tjera diplomatike, të cilat kanë shkaktuar rënien e valutës turke në nivele rekord kundrejt dollarit amerikan.

Të premten e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi për rritje të tarifave ndaj importeve të çelikut dhe aluminit që vijnë nga Turqia. Në një dekret të publikuar në gazetën zyrtare të Turqisë dhe të nënshkruar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, thuhet se tarifat për veturat e pasagjerëve janë rritur 120 për qind, për pijet alkoolike 140 për qind dhe për duhanin 60 për qind.

Tarifat janë dyfishuar edhe ndaj produkteve kozmetike, orizit dhe mallrave të tjera.

“Detyrimet në importe janë rritur për disa produkte sipas parimit të reciprocitetit, në përgjigje të sulmeve të administratës amerikane ndaj ekonomisë sonë”, ka thënë zv.presidenti turk, Fuat Oktay, përmes një postimi në Twitter.

Të mërkurën, një dollar amerikan u këmbye me 6.41 lira turke. Erdogan ka thënë se Turqia është në shënjestër të një lufte ekonomike dhe ka përsëritur thirrjet për banorët e vendit të tij, që të shesin dollarin dhe euron dhe të përdorin valutën turke. Të martën, ai tha edhe se Turqia do të bojkotojë produktet elektronike amerikane.

Top Channel