Festa e Shën Mërisë, të krishterët kremtojnë ditën e rëndësishme në Zvërnec

15/08/2018 15:23

15 gushti është kulmi i festimeve të ditës së Shën Mërisë. Ajo kremtohet nga besimtarët e krishterë si dita kur Shën Mëria iu bashkua të birit të saj.

Për të kremtuar këtë ditë të rëndësishme, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë ka zgjedhur të marrë pjesë në meshën e mbajtur në Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë në Zvërnec.

Për kryepshkopin, kjo vizitë e rikthen pas 18 vitesh në Vlorë.

Edhe në fshatin Boboshticë të Korçës, festa e Shën Mërisë ka mbledhur qindra besimtarë ortodoksë. Ashtu si çdo 15 gusht, ritet fetare u kremtuan në Manastirin e Shën Mërisë. Pas pelegrinazhit në këtë kishë, besimtarët festojnë edhe në familjet e tyre ditën që njihet ndryshe nga besimtarët si “Dita e ngjitjes së Zonjës”.

Kjo festë ka mbledhur edhe emigrantët nga Greqia, të cilët kanë udhëtuar enkas nga shteti fqinj, duke shkaktuar kështu prej mëngjesit të së mërkurës fluks në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Festa e Shën Mërisë është një prej datave më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, pas Krishtlindjes dhe Pashkëve.

Top Channel