“Lufta” për futbollin duket se do të përfshijë edhe botën automobilistike, e më konkretisht kompanitë e njohura gjermane të prodhimit të makinave, BMW dhe Audi.

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, drejtuesit e BMW-së kërkojnë të blejnë kuotat e aksioneve që ka Audi te Bayern Munchen, që është klubi më i rëndësishëm i Gjermanisë dhe një ndër më të mëdhenjtë në Europë.

Gjithnjë sipas të përditshmes “Bild”, BMW-ja kërkon të blejë kuotat prej 8.33% të aksioneve të Audit në klubin bavarez, për një vlerë që e kalon shifrën e 100 milionë eurove.

Vet drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë e shohin me sy të mirë këtë transaksion, që do të thotë një ndarje me Audin, pjesë e grupit Volkswagen, të përfshirë vitet e fundit në skandalin e madh “Dieselgate” që solli edhe arrestimin e ish-presidentit të tij.

Pronësia e Bayernit është e ndarë në këtë mënyrë: 75% e aksioneve janë në zotërim të klubit, ndërsa tri nëndarje kuotash prej 8.33% janë në zotërim të sponsorëve kryesorë të Bayernit.

“Allianz” që i ka dhënë edhe emrin stadiumit, “Adidas” që furnizon skuadrën me veshjet sportive; si dhe Audi, marka zyrtare e makinave të Bayernit.

BMW-ja kërkon që të jetë pjesë e klubit në vend të Audit, por problemi qëndron pikërisht te Volkswageni, që duket se nuk do t’ia lehtësojë gjërat BMW-së për kryerjen e këtij transaksioni.

Top Channel