Spalletti rinovon me Interin: Ishte thjesht burokraci, nuk ka pasur asnjëherë dyshime

14/08/2018 18:03

Ndërkohë që merkatoja është drejt fundit dhe Interi ka afruar plot 7 futbollistë për të kënaqur dëshirat e trajnerit, drejtuesit kanë hedhur një tjetër hap drejt konsolidimit të skuadrës.

Kështu pasditen e sotme Interi ka rinovuar kontratën me Luciano Spallettin, duke e zgjatur atë deri në verën e vitit 2021, dy vite më shumë se aktualja që përfundonte në 2019-ën.

Vetë drejtuesit e patën konfirmuar edhe më herët se Spalletti nuk është në dyshim dhe se rinovimi pritej të vinte nga dita në ditë, ndërsa vetë trajneri zikaltër nuk i fshehu emocionet.

“Falënderoj shoqërinë që më dha mundësinë të firmoj këtë zgjatje të bashkëpunimit. Dua të theksoj se kjo firmë është vetëm pjesë e burokracisë, pasi nuk ka qenë asnjëherë në diskutim dëshira për të vijuar “të luftojmë” së bashku, për të mirën e këtij klubi të rëndësishëm”, tha Spalletti në fjalën e tij zyrtare.

Pas Spallettit pritet edhe rinovimi me kapitenin Mauro Icardi, por më prioritare është merkatoja që mbyllet të premten në mbrëmje. Zikaltrit po përpiqen të sjellin në Milano Luka Modriçin nga Reali, ndërsa si plan B mbetet rikthimi i Rafinhës, nga Barcelona.

Top Channel