Rrjetet sociale të sigurojnë shumë popullaritet, por edhe të vënë në telashe. Ai që e provoi këtë ishte Mohamed Salah, ylli i Liverpoolit që është vënë në qendër të hetimeve të policisë, pasi është pikasur teksa dërgonte mesazhe në celular duke drejtuar makinën e tij.

Fajtori ishte një tifoz që filmoi gjithçka për ta postuar në profilin e tij në rrjetet sociale, video e cila bëri menjëherë xhiron e botës, aq sa tërhoqi edhe vëmendjen e policisë, që ishte më se e vendosur.

Në videon e publikuar shihej Salah që dilte nga qendra stërvitore me makinën e tij, i rrethuar nga shumë tifozë që i kërkonin autograf. Por, sulmuesi nuk u ndal dhe vijoi drejtimin e makinës, teksa u përgjigjej mesazheve në celular.

Kjo nuk i pëlqeu një prej tifozëve që vendosi të hakmerrej duke e publikuar atë çfarë po ndodhte në Twitter, video të cilën policia e Merseyside e mori menjëherë për t’ua dërguar reparteve kompetente.

Salah rrezikon me këtë veprim të dënohet me një gjobë të majme, por edhe me heqjen e patentës, ndërkohë që ironitë në rrjetet sociale kanë shpërthyer, madje është kërkuar edhe arrestimi i tij.

Top Channel